Intervistë me Drejtorin e Përgjithshëm të Kolegjeve turke “Gülistan” dhe “Turgut Özal”, zoti Hayrettin Özkul. I linduar në Manisa të Turqisë ku dhe kreu edhe arsimin e tetë vjeçar dhe atë të mesëm të përgjithshëm, zoti Özkul më pas përfundoi me sukses degën Juridik në Universitetin e Stambollit. Pas përfundimit me rezultate të shkëlqyera, në të njëjtin fakultet mbaron edhe programin pasuniversitar master. Që nga viti 1999, zoti Özkul gjendet në Shqipëri si Drejtor i Përgjithshëm i Kolegjeve turke “Gülistan” dhe “Turgut Özal”.
1. Si nisi puna në institucionet arsimore “Gulistan” e “Turgut Ozal”?
Veprimtaria jonë në Shqipëri fillon në vitin 1993 si rezultat i marrëveshjes që u bë në gusht të vitit 1992 ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës së Shqipërisë dhe Fondacionit Arsimor “Gulistan”. Ndërkohë në 1997 u hap shkolla e mesme “Turgut Ozal” për nxënësit ditorë. Ky kolegj që atëherë ka nxjerrë 6 breza maturantësh. Kolegji ynë me anë të një programi mësimor edukativ të njëjtë me atë të kolegjeve perëndimore është kthyer në një simbol të mirëfilltë të arsimit .Sigurisht rruga që kemi ndjekur nuk ka qenë e lehtë, por ka qenë këmbëngulja për të mposhtur vështirësitë që shoqëroi punën tonë hap pas hapi deri në realizimin e standardeve që synonim.
2.Ç’nënkuptohet me “Gulistan” dhe “Turgut Ozal”?
Dy janë arsyet kryesore që këto institucione u qujtën kështu. Fillimisht frymëzimi ynë u bënë trëndafilat.Në gjuhën turke fjala“gyl” nënkupton trëndafil. Një lule kjo e vlerësuar shumë.Ndërkohë “Gulistan” nënkupton baçe me trëndafila.Kështu na pëlqente të bënim një paralelizëm midis nxënësve tanë të cilët rriten dhe lulëzojnë çdo ditë e më shumë në kopshtin tonë të dijes. Ndërkohë njerëzit e parë që na ndihmuan në fillimin e aktivitetit në Shqipëri ishin nga Sparta.Karakteristikë e Spartës ishin trëndafilat.Dhe në nderim të tyre ne u motivuam më shumë që ky institut të mbante këtë emër kurse emri i kolegjit “Turgut Ozal” është vënë në nderim të të ndjerit, presidentit të tetë të Republikës së Turqisë ,zotit “Turgut Ozal”, I cili ka qenë vetë i pranishëm në inagurimin e kolegjit të parë turk në Shqipëri.
3.Diçka mbi organizimin tuaj institucional dhe mbi numrin e nxënësve?
Rrjeti ynë përbëhet nga një numër i konsiderueshëm shkollash. Aktualisht në Shqipëri funksionojnë 5 institucione të kolegjeve turke “Gulistan” si kopshte, shkolla fillore, 9-vjeçare, të mesme dhe qendra e kurseve. Fillimisht sfida filloi me hapjen e kolegjit “Mehmet Akif” (vajza) dhe kolegjit “Mehmet Akif” (djem) hapur në shkurt të vitit 1993 në Tiranë.Pas një pune të sukseshme 7 vjeçare ne zgjeruam aktivitetin tonë në Shkodër me çeljen e shkollës së mesme “Hasan Riza Pasha” në shtator të vitit 2000 e cila i paraprin hapjes së shkollës 9-vjeçare “Hasan Riza Pasha” në shtator 2001 po në Shkodër. Së fundi në 2006 Tiranë hapet institucioni parashkollor “Mehmet Akif”. Nuk duhen lënë pa përmendur edhe shkolla e mesme “Turgut Ozal” në Tiranë dhe shkolla 9- vjeçare “Turgut Ozal” në Durrës. Përkatësisht i gjithë rrjeti përbëhet nga një numër prej 2716 nxënësish.
4.Mund të na tregoni planet tuaja për të ardhmen?
Mund të them se planet për të ardhmen nisën të realizohen me çeljen e Universitetit Epoka. Ky është një plan I menduar që më parë.Universiteti do të këtë degët kryesore përjashtuar mjekësinë edhe kjo e fundit në perspektivë për t’u hapur në një të ardhme jo të largët. Plani tjetër ambicioz lidhet përsëri me këtë universitet sepse ne synojmë të ndërtojmë një kampus ku çdo degë të ketë godinën përkatëse duke iu afruar kështu standardeve europiane dhe më gjerë. Kështu ne mund t’i shtojmë hallkën e fundit një zinxhiri të gjerë arsimor i cili fillon me arsimin parashkollor dhe mbaron me arsimin e lartë.
5.Çfarë programi mësimor zhvillohet në shkollat tuaja në raport me shkollat e tjera?
Baza e suksesit të arritur në kolegjet turke “Gulistan”,është zhvillimi i programit mësimor në gjuhën angleze, stafi i kualifikuar dhe programi i ngjeshur. Në programin tonë përfshihen si gjuhë e dytë dhe e tretë turqishtja dhe gjermanishtja. Rëndësi i kushtohet lëndëve shkencore, aktiviteteve sportive dhe jashtëshkollore dhe sigurisht disiplinës e cila fillon me vendosjen e uniformës pasi qëllimi ynë është të krijojmë një nxënës me formim të gjithanshëm.
6.Si i vlerësoni nxënësit shqiptar?
Nxënësit shqiptarë e duan dijen dhe kanë një kërkesë të madhe për të, prandaj mund t’ju them se ata janë shumë inteligjentë, të zotë dhe të aftë të përballojnë çdo sfidë si në Shqipëri ashtu edhe në vendet e tjera të botës.Koha e ka treguar këtë.Ata gjithmonë na kanë nderuar në nivelet ndërkombëtare si në olimpiadat shkencore të fizikës,matematikës,kimisë ashtu edhe në universitet ku ata studiojnë.Vetë këto universitete na kanë sjellë fletë-falenderimi duke na informuar dhe falenderuar njëkohësisht për ecurinë e nxënësit. |